Të drejat dhe detyrat e prindërve

Kur lindni një fëmijë, ju duhet ta lajmëroni lindjen menjëherë në zyrën e gjendjes civile. Kur jeni të martuar, e drejta e përkujdesjes për fëmijën është e rregulluar automatikisht. Kur nuk jeni të martuar, ju duhet të merrni vetë iniciativë për të rregulluar të drejtën e përkujdesjes.

Lajmërimi i lindjes

Ju duhet të lajmëroni lindjen e çdo fëmije në zyrën e gjendjes civile (Zivilstandsamt). Kujdes: Ju duhet të shkoni tek zyra e gjendjes civile në atë komunë, ku fëmija juaj ka lindur. Pra ju ndoshta nuk duhet të shkoni tek zyra e vendbanimit tuaj.

Fëmija lind në spital:
Spitali i dërgon dokumentet në zyrën e gjendjes civile. Ju nuk duhet të merreni më me këtë çështje.

Fëmija nuk lind në spital:
Ndoshta e lindni fëmijën në shtëpi ose në një vend tjetër. Atëherë ju duhet ta lajmëroni lindjen në zyrën e gjendjes civile. Për lajmërimin keni tri ditë kohë. Zyra e gjendjes civile ju informon, cilat dokumente duhet të parashtroni.

Mirë të dish:
Një fëmijë, që lind në Zvicër nuk bëhet zviceran ose zvicerane për shkak të kësaj. Ai nuk merr automatikisht nënshtetësinë Zvicerane.

Njohja e atësisë

Ju jeni të martuar dhe lindni një fëmijë:
Bashkëshorti regjistrohet automatikisht si baba. Ndoshta bashkëshorti dyshon që është babai. Atëherë ai mund të shkojë në gjykatë dhe të kontestojë atësinë.

Ju nuk jeni të martuar dhe lindni një fëmijë:
I ati i fëmijës nuk regjistrohet automatikisht si baba. Para ose pas lindjes ai mundet të shkojë në zyrën e gjendjes civile dhe mund të bëjë pranimin e fëmijës: Ndoshta babai nuk dëshiron ta pranojë fëmijën e vet. Atëherë nëna mundet të shkojë në gjykatë për të kërkuar, që ai ta pranojë fëmijën.

Përkujdesja prindërore

Si prindër ju duhet të kujdeseni, që fëmijët tuaj të jenë mirë. Kjo është e drejta dhe obligimi juaj (përkujdesja prindërore, elterliche Sorge). Ju duhet për shembull t'i edukoni fëmijët tuaj dhe të paguani për jeten e fëmijëve tuaj. Gjithashtu ju duhet t'i përfaqësoni fëmijët tuaj ligjërisht deri ata të bëhen 18 vjeç.

Ju jeni të martuar:
Të dy keni të njëjtat të drejta dhe të njëjtat obligime përkundrejt fëmijëve tuaj.

Ju nuk jeni të martuar:
Fillimisht babai duhet ta pranojë fëmijën. Pastaj ju të dy mund të deklaroni vullnetarisht me shkrim, që ju dëshironi të përkujdeseni bashkërisht për fëmijën tuaj (gemeinsame elterliche Sorge). Këtë mund ta bëni, kur babai e pranon fëmijën te zyra e gjendjes civile. Ose ju mund të shkoni edhe më vonë te zyra për mbrojtjen e fëmijëve (Kindesschutzbehörde, KESB).

Nëse nuk jeni të një mendimi për të drejtën për përkujdesjes ndaj fëmijës, vendimin e merr zyra për mbrojtjen e fëmijëve. Kur keni pyetje apo keni nevojë për mbështetje, ju mund të shkoni në një qendër këshillimi për familjet.

Mbajtja e fëmijës me ushqim

Kur jeni ndarë nga njëri-tjetri, prapë duhet të kujdeseni që të dy për fëmijën tuaj. Pra ju bëni mirë të merreni vesh, se kush kujdeset për fëmijën dhe se kush paguan sa para (mbajtja, Unterhalt).

Ju paguani që të dy për mbajtjen e fëmijës suaj. Ndoshta ju duhet të paguani më shumë ose më pak se prindi tjetër. Ose ju nuk duhet të paguani fare. Kjo varet nga fakti, se sa para ju nxirrni dhe se sa kohë kujdeseni për fëmijën. Nëse ju nuk mund të pajtoheni me prindin tjetër mund të shkoni në gjykatë

Një prind nuk paguan kontributin e vet:
Nëse një prind nuk paguan kontributin e vet për fëmijën, ju mund të kërkoni ndihmën e komunës së banimit. Komuna e banimit ju ndihmon, që t'i merrni paratë. Ndoshta ajo ju huazon paratë për mbajtjen, nëse ju keni të drejtë për këto para. Kjo quhet Alimentenbevorschussung.