Heqja e mbeturinave

Për heqjen e mbeturinave komunat e mbajnë përgjegjësinë. Prandaj çdo komunë ka rregullat e veta. Ndarja e mbeturinave çmohet shumë, prandaj ka edhe vende të posaçme të grumbullimit.

Ndarja e mbeturinave / riciklim

Ndarja e mbeturinave ndihmon në mbrojtjen e ambientit dhe në kursimin e parave. Për mbeturina, të cilat ripërpunohen, dhe për ato që janë të dëmshme për mjedisin, ka pika të posaçme grumbulluese apo grumbullime të caktuara (letër, bateri, qelq, karton, mbeturina të gjelbra, alumin, metal, tekstile, vajra etj.). Këto mbeturina nuk duhet të hidhen në mbeturinat shtëpiake. Çdo komunë e ka një plan të vetin për heqjen (Entsorgungsplan) apo një kalendar për mbeturina (Abfallkalender), e cila merret, kur dikush regjistrohet në komunë. Aty shkruhet, cilat mbeturina lejohet të hiqen kur dhe në ç'vend. Është e ndaluar të digjen mbeturinat apo të shkarkohen në vendet, të cilat nuk janë të parapara për këtë qëllim. Shishet plastike (PET-Flaschen) dhe ambalazhime të tjera mund të kthehen falas gati te të gjitha dyqanet.

Thasë për mbeturinat / pulla për mbeturinat

Mbeturinat, të cilat nuk mund të ripërpunohen (mbeturinat shtëpiake, Hausmüll), duhet të hiqen në Basel në thasë të posaçme zyrtare. Në Riehen dhe Bettingen mbeturinat duhet të hiqen në thasë me pulla mbeturinash. Në çmimin e thasëve apo pullave përfshihet taksa për heqjen. Thasët apo pullat mund të blihen për shembull në qendra tregtare apo dyqane në komunë apo vetë në administratën e komunës. Thesi me mbeturinat duhet të deponohet në ditë të caktuara javore skaj rrugës (apo në raste të rralla në një pikë tjetër grumbullimi). Deponimi i mbeturinave në një ditë tjetër nuk lejohet. Në godina me shumë familje ka nganjëherë kontejnerë të posaçëm për mbeturina. Nëse ka pyetje, komuna apo fqinjat dhe fqinjët mund të ndihmojnë më tej.

Mbeturinat e veçanta

Mbeturinat e veçanta (Sonderabfälle) duhet të hiqen në mënyrë të posaçme, meqë përmbajnë substanca helmuese apo dëmtuese për mjedisin. Këtu bëjnë pjesë p.sh. bojëra, lëndë kimike, bateri, artikuj elektrik, llamba për kursim të energjisë apo edhe barna me afat të skaduar. Këto në asnjë mënyrë nuk duhet të hidhen në mbeturinat shtëpiake. Në përgjithësi mund të kthehen në dyqanet, ku janë blerë. Prodhuesi dhe tregtarët janë të detyruar t'i pranojnë këto mbeturina pa shpenzime.