Të jetosh me pak para

Jeta në Zvicër është relativisht e shtrenjtë. Prandaj mund të jetë e leverdishme, që të blesh artikuj të caktuar, të cilët janë të përdorur. Kush është në nevojë financiare, mund të blejë lirë në dyqane speciale.

Artikujt e përdorur

Në Zvicër ka shumë dyqane me mallra të përdorur (Brockenhäuser). Aty munden të blihen artikuj të përdorur shumë lirë. Në tregje speciale edhe persona privatë ofrojnë sende të përdorura. Shembuj janë tregjet me gjëra të përdorura (Flohmärkte), tregje teshash, tregje pajisjesh për ski etj. Edhe portalet në internet janë shumë të pëlqyer për blerje dhe shitje të artikujve të përdorur.

Sporti / Kultura / Arsimimi

Me letërnjoftimin Kulturlegi njerëzit me pak para marrin zbritje për organizime të kohës së lirë, të sportit, kulturës dhe arsimit. Aplikimi për këtë letërnjoftim mund të bëhet në Caritas. Caritasi jep informacione dhe shqyrton, nëse një person ka të drejtë të ketë Kulturlegi. Me Familienpass, FamilienpassPlus ose colorkey merrni gjithashtu zbritje për shumë aktivitete.

Tregu i Caritasit

Njerëzit me pak para mund të blejnë ushqime dhe produkte për nevoja ditore me çmime shumë të ulëta në dyqanet nga Caritas (Caritas Markt). Për këtë nevojitet një kartë speciale, për të cilën aplikimi bëhet në Caritas. Caritas jep informacione dhe kontrollon, nëse një person ka të drejtë për kartën. Ka një dyqan në Bazel.

Mbështetja shtetërore

Kush nuk ka mjaft para për të jetuar, ka në shumë raste të drejtën për mbështetje nga shteti. Kështu për shembull mund të aplikohet për zbritje në kontributet e sigurimeve shëndetësore apo për bursat për arsimim. Në situata të caktuara jetësore mund të merren pagesa nga sigurimet sociale apo nga ndihma sociale. Familjet me pak para mund të aplikojnë në kushte të caktuara për kontribute përkrahjeje për qiranë e tyre (Familienmietzinsbeiträge).