Ndihma sociale

Ndihma sociale mbështet njerëzit, që ose nuk kanë para të mjaftueshme për të jetuar, ose nuk marrin mjete financiare prej sigurimeve sociale, apo marrin tepër pak. Nuk ka të bëjë me një sigurim, por me një mbështetje nga shteti.

Ndihma sociale

Ndihma sociale (Sozialhilfe) i mbështet të gjithë njerëzit në Zvicër, të cilët kanë rënë në mjerim. Ajo mbulon shpenzimet minimale për jetesën. Përveç ndihmës financiare, ajo ofron edhe këshillime. Qëllimi është, që mundësisht njerëzit të pavarësohen përsëri shpejt nga ana ekonomike. Ndihma sociale nuk paguan, kur dikush merr mjaft ndihma të tjera financiare për të financuar jetën e tij - si p.sh. pagesa për të papunët, pensione, rrogë, apo mbështetje nga të afërmit. Ajo nuk paguan as borxhet. Paratë duhet të kthehen, kur personi posedon përsëri mjete të mjaftueshme financiare. Ndihma sociale financohet nga tatimpagueset dhe tatimpaguesit.

Aplikimi për ndihmë sociale

Kush dëshiron të aplikojë për ndihmë sociale, i drejtohet shërbimit social (Sozialdienst) të komunës. Aty aplikuesi duhet të paraqesë hapur të ardhurat dhe pasurinë e tij. Pastaj pretendimi shqyrtohet. Zyrtarët e caktojnë shumën dhe llojin e mbështetjes individualisht. Kush jep të dhëna të pavërteta apo fsheh diçka, shkel ligjin dhe mund të dënohet. Shërbimi social lejohet të japë urdhërime dhe të vendosë kushte. Kur këto nuk përmbushen, përfitimet mund të shkurtohen. Pjesëmarrja në bisedat këshilluese është e obliguar. I prekuri është i obliguar të bëjë gjithçka për të e zvogëluar vetë gjendjen e mjerueshme.