Treni, autobusi dhe tramvaji

Transporti publik në Zvicër është i ndërtuar shumë mirë. Praktikisht çdo vendbanim mund të arrihet me trena, autobusë apo tramvaje. Mjetet e transportit publik janë të përpikta dhe lëvizin në periudha të rregullta.

Transporti publik

Transporti publik (ÖV) ka një rëndësi të veçantë në Zvicër. Pasi që pothuajse gati çdo vendbanim është i arritshëm disa herë në çdo orë, shumë udhëtarë e shfrytëzojnë trenin, autobusin apo tramvajin. Udhëtimet faktikisht janë relativisht të shtrenjta, mirëpo ka mundësi të ndryshme të kursesh para. Kështu mund të jetë e leverdishme të blihet një abonim apo një kartë me zbritje. Me një abonim gjysmë tarife (Halbtaxabonnement), i cili është relativisht i lirë, në tërë Zvicrën duhet të paguhet për shembull vetëm gjysma e çmimit.

Bileta dhe abonime

Kush do ta shfrytëzojë trenin, duhet të blejë më parë një biletë (Billett). Nuk mund të blihen bileta brenda në tren. Në autobusët dhe tramvajet kjo është rregulluar në mënyra të ndryshme. Në çdo stacion të trenit SBB dhe në shumicën e stacioneve të autobusëve gjenden automate për bileta, në stacionet më të mëdha të trenave ka edhe sportele me shërbim. Sado, biletat mund të blihen gjithashtu onlajn apo përmes celularit.

Për personat, që udhëtojnë shpesh, ka abonime të ndryshme. Këto mund të merren për itinerare ose zona të veçanta ose për rrjetin e transportit në tërë Zvicrën (abonim gjeneral). Fëmijët deri në 6 vjeç transportohen falas. Deri në 16 vjeç ata udhëtojnë së bashku me prindërit apo gjyshërit gati falas, nëse kanë një biletë pasagjeri junior apo fëmije. Informacione për biletat dhe abonimet mund të merren në zyrat e kompanisë së trenave të konfederatës së Zvicrës (SBB) apo në ndërmarrjet e transportit.

Lidhja e shoqatave të transportit Zvicra veriperëndimore TNW

Lidhja e shoqatave të transportit Zvicra veriperëndimore TNW ofron tarifa speciale për bileta, abonime dhe bileta ditore në Bazel dhe përreth. Rajoni i rrjetit të TNW është i ndarë në disa zona. Kushdo që udhëton shpesh me tramvaj, autobus ose tren në rajonin veriperëndimor të Zvicrës, mund të përfitojë nga abonimi U. Ky vlen për të gjithë zonën e rrjetit TNW dhe në zonën jashtë shtetit afër kufirit. Nëse udhëtoni përtej kësaj zone, keni nevojë për një biletë të veçantë.

Kartat ditore të komunave

Kush e planifikon një udhëtim më të gjatë brenda Zvicrës, mund të blejë në shumë komuna një kartë ditore (Gemeindetageskarte) me një çmim të zbritur. Por kjo ofertë është e kufizuar, rezervimi duhet të behët sa më herët. Informacione për këtë ofron zyra e regjistrimit civil ose administrata e komunës.