Llogaria bankare / qarkullimi i pagesave

Kush fiton para dhe duhet të paguajë fatura, ka nevojë për një llogari bankare ose në bankë ose në postë. Për blerjet, kartelat debitore apo kreditore janë shumë të përhapura.

Llogaria bankare

Në Zvicër pothuajse secila banore dhe secili banorë ka një llogari bankare. Të punësuarve normalisht iu transferohet rroga vetëm në llogarinë bankare. Shumë banka dhe posta ofrojnë llogari bankare për persona private. Hapja e një llogarie bankare normalisht është falas. Mirëpo pastaj shkaktohen taksa të ndryshme. Ngase taksat, interesat dhe shërbimet ndryshojnë sipas ofruesit, ia vlen të bëhet krahasimi. Për hapjen e një llogarie bankare nevojitet në çdo rast pasaporta apo letërnjoftimi.

Kartelat debitore / kartelat kreditore

Kush zotëron një llogari bankare, merr normalisht një kartelë kreditore për të tërhequr para kesh. Kjo kartelë është e vlefshme vetëm në bankën e vet. Mirëpo bankat apo posta ofrojnë edhe kartela debitore (p.sh. Maestro), me të cilat mund të tërheqësh para në të gjithë bankomatat dhe të paguash në shumicën e dyqaneve. Këto kartela mund të përdoren edhe jashtë vendit. Në varësi të kartelës shkaktohen taksa të ndryshme. Kartelat kreditore mund të porositën te ofrues të ndryshëm. Shërbimet dhe taksat janë shumë të ndryshme, krahasimi ia vlen. Pagesa me kartelë debitore apo kreditore ndërkohë është shumë e përhapur.

Pagesa e faturave

Faturat (Rechnungen) dërgohen normalisht përmes postës me një fletëpagesë ose me e-mail. Ka tri mundësi për t`i paguar:

  • E- Banking: Pagesa përmes internetit është shumë e përhapur dhe e sigurt.
  • Në sportel: Me fletëpagesën mund të paguash me para të gatshme në postë. Kush ka një llogari bankare te posta, mund të porosisë transferimin e pagesës direkt prej llogarisë bankare. Klientet dhe klientët e bankës mund të porosisin pagesat edhe në sportelin e bankës.
  • Përmes postës: Urdhrat e pagesave mund të dërgohen edhe me letër në bankë apo në postë. Informacione më të detajuara ju ofrojnë banka apo posta.

Mundësitë për pagesën e faturave të përsëritshme:

  • Skema e debitimit direkt (LSV) është e rehatshme, ngaqë pagesa e faturave kryhet automatikisht nga llogaria bankare. Informacione për këtë japin dërguesit e faturave apo banka/posta.
  • Nëse shuma e faturës është gjithnjë e njëjtë (p.sh. qiraja), mund të bëhet një urdhëresë automatike për pagesën (Dauerauftrag) në bankë apo postë.

Faturat janë gjithmonë me një afat të caktuar për pagesë. Nëse afati nuk respektohet, si pasojë mund të ketë: Një mbledhje e borxhit nga zyra e përmbaruesit (Betreibung).